Pena

Çfarë do të gjeni?

Revista letrare “Pena”, organ i “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, del para lexuesit në numrin e saj të 11-të në vitin 2023 me 25 autorë kontribues. Kryeredaktor i këtij numri është z. Adnan Mehmeti dhe redaktorë janë Mëhill Velaj, dr. Yllka Filipi dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri. Përgjithësisht, revista vjen me një strukturë tashmë të konsoliduar, nga ku rubrikat: kritikë, poezi, prozë, intervistë, ese, kronikat e shoqatës etj., janë thuajse të përhershme pasi i gjejmë edhe në numrat e mëparshëm të kësaj reviste.

Numri i 11-të i kësaj reviste hapet me fjalimin që shkrimtari Visar Zhiti mbajti në Universitetin e Michigan-it “Ann Arbor” në Fakultetin e Gjuhëve Moderne dhe Letërsisë, Departamenti i Sllavistikës, fjalim të cilin e titulloi “Poezia është liri, ajo më futi mua në burg, por edhe më shpëtoi shpirtin nga burgu…” Profesori i këtij departamenti, dr. Lisandri Kola, jep në këtë universitet lëndën “Letërsia shqipe në ekzil” dhe kishte ftuar shkrimtarin Zhiti të përcjellë tek auditori ndjesitë dhe përvojën e tij si njeri dhe si krijues, në kohën e vështirë të diktaturës

Rubrikën e poezive e hap poeti Dalan Luzaj, i cili vjen në këtë numër të “Penës” me 6 poezi: “Tri strofa për vete”, “Ndarje”, “Oshëtima e bukurisë”, “Nënës”, “Gjumi im”, Dashuri fëmije”; poetja Iliriana Sulkuqi vjen me poezitë: “Mos e ‘vrisni’ poetin”, “Fund në fund vjeshtë…”, “Pelegrin…!”, “Vitestinët”, “Elbasaaan”, “Qamë në shteg Qabeje…”; ndërsa “Valixhia e jetës sime”, “E imja Shqipëri”, “Jeta, krip dhe sheqer”, “Dy pika loti”, “Dashuri në galaktikë”, “Ënndrrat në lundrim”, “Fisnike, unë” janë 7 poezi të poetes Esmeralda Bregaj, me të cilën mbyllet rubrika e poezive për këtë numër.

E mbyllim këtë shkrim për numrin më të ri të revistës “Pena” me moto-n e saj:
“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

Dhjetor, 2023

Shkruar nga: Esmeralda Bregaj

Abonohu

NJOFTOHUNI PËR LIBRAT DHE DATA TË TURIT

Qëndroni të informuar dhe mos humbisni kurrë një përditësim! Regjistrohu në buletinin tim për përmbajtje ekskluzive, njohuri të autorit dhe zbulime letrare.

Lini një koment